Mbledhja e Keshillit Konsultativ 19 Nentor 2021

Mblidhet Këshilli Konsultativ, Projektbuxheti Vendor 2022, më shumë fonde në dispozicion të bashkive.

Në fokus edhe projektligji për Policinë Bashkiake, propozimi i shoqatave vendore për rritjen e rentës minerare dhe një sërë projekt-aktesh të rëndësishme.

Bashkitë do të kenë më shumë të ardhura në dispozicion, me të cilat do të shtojnë investimet dhe do t’i përdorin në pastrimin e territorit, si kërkesë e kohës për rritjen e cilësisë së jetës dhe të zhvillimit të turizmit. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Konsultativ Qeverisje Qendrore-Vetëqeverisje Vendore, të drejtuar nga bashkëkryetarët znj. Romina Kuko dhe z. Aldrin Dalipi, u diskutua projektbuxheti për pushtetin vendor 2022. Përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, shoqatave vendore dhe të shoqërisë civile patën në fokus edhe një sërë projekt-aktesh të rëndësishme të cilat kanë ndikim në qeverisjen vendore.

Projektbuxheti vendor 2022 u prezantua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, e cila theksoi rritjen e buxhetit përpushtetin vendor krahasuar me një vit më parë ku veçohet rritja e transfertës së pakushtëzuar për emergjencat civile dhe mbështetja financiare për rritjen e cilësisë të menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane.“Projektbuxheti vendor 2022 është vazhdim i mbështetjes së qeverisë për reformat e ndërmarra dhe kjo kërkon më shumë përgjegjësi për më shumë shërbime dhe investime publike,”- u shpreh znj.Ibrahimaj e cila solli në vëmendje të bashkive rritjen e nivelit të menaxhimit financiar, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, krijimin e një klime të mirë vendore biznesit dhe një angazhim më të madh për zbatimin e metodologjisë së re të taksimit të pronës. Detajet teknike u prezantuan në mënyrë shteruese nga Drejtor i Financave Vendore, z. Fran Brahimi.

Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore, znj. Adelina Farrici u shpreh se disa nga kërkesat e adresuara janë reflektuar në buxhetin vendor 2022, ndërsa shtoi se rritja e buxhetit mbetet e pamjaftueshme për autonominë vendore. “Do të doja përqendrim në përfshirjen e kërkesës së bërë përsa i përket përqindjes së rentës minerare si dhe borxhet e trashëguara deri në vitin 2015, të cilat kërkojmë që të zhvishen nga detyrimi i pushtetit vendor. Do të donim që të rritet vit pas viti transferta e pakushtëzuar, mbi 1 për qind. Ka rritje të transfertës së pakushtëzuar edhe në funksione të tjera, krahasuar me 2021-in, por ato akoma mbeten të pamjaftueshme që të arrijmë të flasim për një autonomi vendore”.

Gjithashtu, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, z. Agron Haxhimali, shprehu nevojën për adresimin e situatës në lidhje me borxhet e trashëguara nga ish-komunat te bashkitë si dhe shtoi se është e nevojshme të merren masat e duhura në lidhje me adresimin e çështjes së TVSH-së për bashkitë në lidhje me projektet e financuara nga Bashkimi Evropian.

Bashkëkryetari z. Dalipi u shpreh se rritja e shumë zërave në buxhetin vendor pavarësisht se vjen pas një viti të vështirë nga pandemia dhe tërmeti, tregon një progres në qeverisjen vendore.

Një tjetër projektligj i rëndësishëm për pushtetin vendor si ai për Policinë Bashkiake u prezantua nga Zv.ministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko, e cila theksoi se nëpërmjet këtij projektligji rregullohet një legjislacion modern që lidhet me ligjin organik, sistematizohet trajnimi dhe certifikimi i Policisë Bashkiake, ndahen detyrat midis saj dhe Policisë së Shtetit, rriten kompetencat e Policisë Bashkiake në terren, si dhe rregullohen gjithashtu masat disiplinore dhe siguria në komunitet. “Projektligji është dërguar për mendim në ministritë të linjës, ndërsa do të kemi një tryezë konsultimi shterues me kryetarët e bashkive dhe me shoqatat vendore,”-theksoi znj. Kuko.

Shoqatat vendore përshëndetën mbështetjen financiare për rritjen e pagave të punonjësve të zjarrfikëses duke theksuar që efekti financiar të përballohet nga buxheti vendor 2022 në zërin transfertë e pakushtëzuar për mbrojtjen nga zjarri. Një paketë ligjore që plotëson ligjin e pyjeve u diskutua në Këshillin Konsultativ midis përfaqësuesëve të pushtetit vendor dhe zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Almira Xhembulla ku shoqatat vendore kërkuan përfundimin e inventarizimit të pyjeve dhe kullotave në disa bashki. Pas shqyrtimit të projekt-akteve u prezantua drafti me propozime ligjore për rritjen e nivelit të rentës në favor të bashkive me të paktën 25 për qind, të hartuar nga Shoqata për Autonomi Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Mbledhja e Këshillit Konsultativ u mbajt online, organizuar nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, nën mbështetjen e projektit të Asistencës Teknike të financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe zbatuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane.

⬇️Lista e projekt-akteve të diskutuara në Këshillin Konsultativ

1️⃣. Projektbuxheti për Pushtetin Vendor, 2022 .

2️⃣. Projektligji “Për policinë bashkiake”.

3️⃣. Projektvendimi “Për miratimin e llojeve të sinjaleve të alarmit, numrit dhe mënyrës së përdorimit të tyre, në rastet e fatkeqësive”.

4️⃣. Projektvendimi “Për marrjen e masave për ruajtjen e trashëgimisëkulturore në rastet e fatkeqësive natyrore dhe konflikteve të armatosura”.

5️⃣. Projektvendimi “Për kriteret dhe procedurat për krijimin e rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë (të paprerë), ruajtjen dhe trajtimin e pyjeve të virgjër ose pothuajse të virgjër si dhe kalimin e tyre në konservim të plotë”.

6️⃣. Projektvendimi “Për kriteret e ushtrimit, të miratimit dhe të monitorimit të veprimtarive kërkimore-shkencore në Fondin Pyjor Kombëtar”.

7️⃣. Projektvendimi “Për strukturën e regjistrimit kombëtar të fondit pyjor, kriteret teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes dhe të ndryshimeve, mbajtja e të dhënave, informacioni që regjistrohet dhe raportimi nga administratorët/pronarët e pyjeve”.

8️⃣. Projektvendimi “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e nënprodukteve të kafshëve që nuk synohen për t’u konsumuar nga njeriu”.

9️⃣. Projektvendimi “Për miratimin e listës së llojeve të mbrojtura të bimëve/florës dhe kafshëve/faunës së vendit”.

1️⃣0️⃣. Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 350, datë 19.04.2017, të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.