Mbledhja e Keshillit Konsultativ 23 Dhjetor 2021

Këshilli Konsultativ Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore përmbylli sot punën e këtij viti duke shënuar konsultimin e më shumë se 50 projektakteve midis dy niveleve të qeverisjes. “Kemi zhvilluar mbledhje të frytshme ku kemi konsultuar akte të rëndësishme të cilat prekin drejtpërsëdrejti funksionet e pushtetit vendor, siç janë akti i rëndësishëm i metodologjisë së vlerës së ndërtesës dhe konfirmimi i ligjit të policisë bashkiake”,– tha Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, në cilësinë e bashkëkryetares së Këshillit.

Edhe bashkëkryetari Aldrin Dalipi e vlerësoi një përvojë të shkëlqyer punën e bërë gjatë këtij viti në Këshillin Konsultativ. “Të gjithë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për të çuar përpara aktet që janë paraqitur, për të dëgjuar zërin e qeverisjes vendore dhe për të bërë më të mirën për qytetarët.” Performancën në rritje të Këshillit Konsultativ e theksoi edhe Drejtori i AMVV-së, Saimir Plaku i cili prezantoi raportin e punës gjatë vitit 2021 dhe vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Tiranë, dhe Shoqatës së Kërkimeve Urbane për asistencën teknike.

Në pikën e parë të diskutimeve, anëtarët e Këshillit konfirmuan projektligjin për Policinë Bashkiake, i cili ishte konsultuar me përfaqësuesit e pushtetit vendor në mbledhjen e muajit nëntor. “Komentet dhe sugjerimet janë reflektuar ndërkohë që edhe komentet e Shoqatës së Bashkive që kanë mbërritur pak ditë me parë po merren shqyrtohen”, – tha bashkëkryetarja Kuko.

Vendorët dhanë pëlqimin e tyre edhe për dy akte në lidhje me metodologjitë e vlerës së taksueshme të ndërtesës dhe llogaritjen e çmimit mesatar të shitjes së banesave në treg. Një pjesë e sugjerimeve dhe komenteve janë reflektuar në projektvendimin për vlerën e taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesë”, ndërsa pjesa tjetër synohet të përfshihet në ligjin e ri për taksën e pronës, sipas përfaqësuesit të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ u prezantuan dhe u diskutuan gjerësisht edhe disa raporte e monitorime të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në pushtetin vendor dhe sipas bashkëkryetares Kuko mund të shërbejnë për të nisur ndryshime ligjore si në rastin e raportit “Sfidat e Bashkive të Vogla në Raport me Agjendën Decentralizuese” të prezantuar nga Qendra e Nxitjes së Zhvillimit Njerëzor.

Për një diskutim më të gjerë me bashkitë do të kalojë “Raporti i Monitorimit të Dokumentit të Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035” me qëllim rishikimin e buxhetimit të menaxhimit të mbetjeve nga ana e bashkive. Zv.ministrja e Mjedisit, Almira Xhembulla theksoi se raporti është një tregues për zbatimin e dokumentit të strategjisë jo vetëm për vitin e parë, por edhe për vitet e tjera.

Raporti i Përputhshmërisë së Monitorimit të Zbatimit të Buxhetit 2020 në nivel bashkie tregoi gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me buxhetimin. Një këndvështrim mbi performancën e bashkive në zbatim të buxhetit për vitin 2020 u prezantua nga Shoqata për Autonominë Vendore. Në mbledhje u prezantuan edhe dy raporte nga UN Women dhe OSBE përkatësisht për zbatimin e Kartës së Barazisë Gjinore nga bashkitë dhe Metodologjia e Kapitalit Natyror të Bashkisë.

Mbledhja e Këshillit Konsultativ organizohet nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë me asistencën e projektit “Asistencë Teknike për Këshillin Konsultativ” zbatuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane (URI)

Lista e projekt-akteve dhe raporteve të diskutuara në Këshillin Konsultativ

Raporti Vjetor i Këshillit Konsultativ.

Konfirmim i projektligjit të Policisë Bashkiake.

Projektvendimi “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa””.

Udhëzimi “Për miratimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimit mesatar të shitjes së banesave në treg”.

Raporti i Përputhshmërisë së vitit 2020.

Raporti “Monitorimi i dokumentit të politikave strategjike dhe planit kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve 2020-2035

Raporti “Karta Evropiane për barazi të grave dhe burrave në jetën vendore dhe zbatimi në Shqipëri nga bashkitë nënshkruese.

Raporti “Sfidat e Bashkive të Vogla në Raport me Agjendën Decentralizuese”.

Raporti “Vlerësimi i Metodologjisë së Kapitalit Natyror të Bashkisë.

Raporti “Performanca e bashkive në zbatim të buxhetit për vitin 2020”.